Deklaratë · 20.10.2026
Për portalin «Bordi Tranzitor Jopartiak»
Shqiptarë, mos ua jepni të dhënat tuaja të panjohurve!
-
IASEE–RISE dhe Rinisja Shqiptare – Lëvizja qytetare për ripërtëritjen e Shqipërisë nuk kanë asnjë lidhje me portalin «Bordi Tranzitor Jopartiak» (borditranzitorjopartiak.com), as me grupin që e ka ngritur.
-
Me ndërmjetësimin e një patrioti të respektuar dhe të pavarur nga Zvicra / Gjermania, më 26 korrik 2026 zhvilluam një takim online me këtë grup, ku u diskutua ideja e bashkëpunimit nëpërmjet unifikimit të platformave. Në bisedë morën pjesë anëtarë të grupit nga Anglia, Zvicra, Franca, Italia dhe Shqipëria. Organizatorët e grupit në Londër dhe në Shqipëri deklaruan se nuk janë kundër riciklimit me PD-në dhe se rrezikun kryesor e shohin te PS. Ata treguan gjithashtu se platforma e tyre elektronike është ndërtuar sipas një modeli të partisë së Tony Blair-it, nga një ekspert IT që e ka krijuar për atë parti, ndërkohë që Tony Blair dhe instituti i tij kanë qenë prej vitesh këshilltarë të qeverisë së Edi Ramës. Ky grup nuk u shpreh kundër riciklimit të partive të sistemit parlamentar. Për këtë arsye e refuzuam propozimin, sepse një grup i tillë nuk mund të paraqitet si «jopartiak». Kujtojmë këtu sesi Protestat e Flamingove «apartiake» u uzurpuan nga Lëvizja Bashkë. Shqiptarët nuk ua besojnë të dhënat e tyre njerëzve të paverifikuar me kujdesin maksimal.
-
Sot verifikuam se ky grup ka ndryshuar emrin disa herë: tri variante të emrit janë shfaqur në adresat e vetë faqes së tij. Portali nuk tregon kush e ka ngritur, kush e drejton dhe kujt i jep llogari. «Ekipi verifikues», i cili vendos për kandidatët, nuk ka asnjë emër publik. Ata u kërkojnë shqiptarëve CV-të e tyre, por vetë nuk tregojnë as emrat, as CV-të e organizatorëve.
-
Mungesa e transparencës dhe lidhjet e vjetra politike të grupit janë tepër kritike në këto ditë të Shqipërisë, ku qytetarët e saj duhet të sigurohen maksimalisht mirë, para se të japin besimin e tyre fytyrave të reja të sistemit të vjetër. Rinisja Shqiptare i ka vënë detyrë vetes të qëndrojë në gatishmëri të temave aktuale të Çështjes së Shqipërisë 2026. U bëjmë thirrje qytetarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të mos u dërgojnë CV dhe të dhëna personale strukturave anonime, derisa ato të bëjnë publikë drejtuesit e tyre dhe mënyrën se si përdoren të dhënat. Çmimi i lirisë është vigjilenca e përjetshme. Prandaj pyetja shtrohet me forcë: kush i krijon këto platforma pa emër, «inkognito», dhe cilave agjenci u shërbejnë?
-
Strategjia jonë është e qartë dhe bazohet në transparencën radikale. Ajo është zhvilluar e shpjeguar në letrën e 4 tetorit 2026.
Hapi i parë është krijimi i Bordit Drejtues për Demokracinë e Drejtpërdrejtë, i përbërë nga 75 intelektualët më të mirë të Shqipërisë dhe të Diasporës:
- çdo qytetar shqiptar, kudo në botë, mund të aplikojë individualisht, mbi bazën e vetëvlerësimit;
- çdo aplikant do t'i nënshtrohet një vettingu rigoroz dhe një konkursi absolut të meritës. Ky proces udhëhiqet nga një Komision i Pavarur me integritet të lartë publik, duke garantuar pastërti të plotë ligjore dhe shkëputje totale nga korrupsioni, ndikimet politike, agjenturat apo çdo rrjet tjetër interesi, duke çrrënjosur çdo ndikim politik apo agjenturor.
- pas verifikimit përzgjidhen 150 kandidatë;
- nga këta 150 zgjidhen 75 anëtarët e Bordit, duke vlerësuar edhe veprimtarinë e tyre atdhetare.
Portali në fjalë e përdor këtë ide si një retorikë të pastër, por e ka zbrazur nga thelbi i saj, sepse nuk ka as kokë, as gjymtyrë: është vetëm i etur për CV-të e shqiptarëve. Në kërkesat e tij për CV nuk ka asnjë kusht që të përjashtojë bashkëpunëtorët e agjencive të huaja të spiunazhit, patronazhistët dhe kallëzuesit e diktaturës që uzurpuan partitë kuislinge të Katovicës në vitin 1991 e më vonë.
Zgjidhja e vetme që kemi përcaktuar për IASEE–RISE është: asnjë riciklim i partive që kanë tradhtuar interesat e popullit. Prej 102 vitesh, që nga dhjetori i vitit 1924, kur qeveria demokratike e Fan Nolit u përmbys nga Ahmet Zogolli dhe mafia zogolliane e Matit – për 300 vjet aleate e pushtuesve osmanë – me ndihmën e forcave serbe (jugosllave), Shqipëria mbetet e pushtuar dhe qeveriset vetëm nga parti kuislinge, në shërbim të armiqve të huaj.
Prandaj:
- asnjë bashkëpunim me partitë parlamentare dhe me qeveritë që nga dhjetori 1924;
- asnjë financim nga fondacione, ambasada apo qeveri të huaja.
-
Transparenca Radikale e Rinisjes Shqiptare:
6.1. Transparenca e Trupës Vlerësuese (Komisionit)
- Publikimi i biografisë dhe pasurisë: Çdo anëtar i Komisionit të Vettingut duhet të ketë të publikuar CV-në e detajuar, historikun profesional dhe deklaratën e pasurisë përpara se të nisë punën.
- Mekanizmi i përjashtimit të konfliktit të interesit: Publiku dhe aplikantët duhet të kenë të drejtë të denoncojnë apo të kërkojnë shkarkimin e një anëtari të komisionit nëse provohet një lidhje e fshehtë me një aplikant.
6.2. Transparenca e Procedurës dhe Testimit
- Transmetimi live i intervistave: Intervistat e vettingut dhe seancat dëgjimore të kandidatëve mund të transmetohen live në internet (p.sh. në YouTube ose një faqe zyrtare), siç është bërë me reformën në drejtësi.
- Kodifikimi i testeve (Anonimati): Gjatë fazës së parë të konkursit të meritës (testi me shkrim), emrat e aplikantëve duhet të zëvendësohen me kode bar-kodi që korrigjimi të jetë 100% i paanshëm.
- Publikimi i menjëhershëm i rezultateve: Pikët e çdo faze duhet të shpallen online brenda një afati rekord (p.sh. brenda 24 orëve) të renditura sipas kodeve.
6.3. Përfshirja e Monitorimit të Jashtëm
- Vëzhgues ndërkombëtarë ose shoqëria civile: Ftesa për organizata të njohura ndërkombëtare (si BE, SHBA apo organizata prestigjioze vendase) që të kenë qasje si vëzhgues pa të drejtë vote në çdo mbledhje të komisionit.
- Auditimi i jashtëm i sistemit: Platforma digjitale ku hidhen të dhënat dhe vlerësimet duhet të auditohet nga një kompani e pavarur kibernetike për të garantuar që rezultatet nuk ndryshohen dot.
6.4. Transparenca Radikale e të Dhënave (Open Data)
- Regjistri Publik i Vettingut: Një faqe web e dedikuar ku çdo qytetar mund të shohë vendimet e arsyetuara për çdo kandidat (pse u kualifikua ose pse u skualifikua), duke fshehur vetëm të dhënat sensitive personale (si adresa apo ID).
- Kanal denoncimesh anonime (Whistleblowing): Një hapësirë e sigurt ku qytetarët mund të dërgojnë fakte apo prova të fshehura për kandidatët që janë në garë, të cilat komisioni është i detyruar t'i hetojë.
-
IASEE–RISE ka ftuar të gjitha grupet, partitë joparlamentare dhe individët t'i bashkohen Deklaratës sonë të Përbashkët të Partneritetit. Qëllimi është të krijojmë grupin më të madh të qytetarëve shqiptarë aktivë kudo në botë, që do të shndërrohet në një ortek gjigant. Ky ortek do të mundësojë, me mjete paqësore, largimin nga pushteti të armiqve të Shqipërisë dhe kthimin me krenari të shqiptarëve të diasporës në Shqipëri. Shtetësia shqiptare nuk duhet t'i jepet asnjë shtetasi të huaj thjesht për blerjen e pronave të shqiptarëve, por vetëm në raste të veçanta, me miratimin e një komisioni parlamentar dhe të Presidentit. Do të rishikohen të gjitha shtetësitë e dhëna që nga viti 1991.
-
Parimet e strategjisë sonë janë plotësisht transparente. Ato nuk drejtohen kundër aleatëve të Shqipërisë. Ato janë tërësisht kundër koncesioneve që u jepen regjimeve kriminale si ai i Netanjahut dhe regjimeve antishqiptare të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe satelitëve të tyre.
Së fundi, siç kemi njoftuar, në platformën iasee-rise.org janë hapur dy seksione për aplikim:
- Komisioni i Vettingut, për intelektualët shqiptarë dhe të huaj që kanë kontribuar për përparimin e kombit shqiptar: iasee-rise.org/komisioni-vettingut.html
- Bordi Drejtues për Demokracinë e Drejtpërdrejtë, për të gjithë qytetarët shqiptarë, kudo në botë, që ndihen të aftë dhe kanë kontribuar për përparimin e kombit shqiptar: iasee-rise.org/bordi-drejtues.html
Çdo individ që ndihet i aftë është i lirë të aplikojë për njërin ose për të dy seksionet. Organizatat dhe partitë joparlamentare bashkohen duke nënshkruar Deklaratën e Përbashkët të Partneritetit. Të gjitha rrugët për t'u bashkuar gjenden në iasee-rise.org/bashkohu.html. Ndryshe nga portalet anonime, te ne emrat e nismëtarit, të anëtarëve të Komisionit të Vettingut dhe të kandidatëve të përzgjedhur janë publikë.
Naske Afezolli
IASEE–RISE · Rinisja Shqiptare
